E Martë, 22 Gusht 2017

xha-suloooËshtë shuar në moshën 79-vjeçare nga një sëmundje e rëndë, Artisti i Popullit, Albert Vërria, aktor i madh i dhjetëra roleve në kinematografinë dhe dramës shqiptare dhe të huaj, që la pas 110 role, shumica e të cilave falë interpretimit të tij, janë sot pjesë e kujtesës kombëtare.


Ai lindi në Fier më 3 shtator 1936, por rrugëtimin e tij si aktor e nisi në qytetin e Vlorës, ku jetoi plot 52 vjet.
Në 1959 kur u hap për herë të parë në Tiranë shkolla për aktorë, “Aleksandër Moisiu”, Albert Verria ishte me punë në Berat. Ai konkuroi dhe fitoi studimet në shkollën e lartë “Aleksandër Moisiu” (1959 -1963) me grupin e parë të saj. U emërua aktor në Teatrin e Vlorës, duke shënuar drejtimin përfundimtar të karrierës së Albert Vërrisë drejt teatrit dhe kinemasë.
Që nga viti 1979, Albert Vërria mban titullin “Artist i Popullit”. Asnjëherë nuk e ndau dashurinë mes kinemasë dhe teatrit.
Nga viti 1963 dhe deri në 1991, kur doli në pension, Artisti i Popullit Albert Verria ka luajtur në 110 role të ndryshme në teatër, variete, seriale të ndryshme televizive dhe në kinematografi, pa lënë mënjanë edhe rolin si regjisor në disa shfaqje të ndryshme. Rolet e Vehipit tek “Familja e peshkatarit” në 1963, të fajdexhiut tek drama “Rrënjët” e Kujtim Spahivoglit në 1969, Halil Shkoza tek “Fytyra e dytë” e Dritëro Agollit, etj, janë nisjet e para të roleve, që përvijuan Albert Vërrinë si aktor i përmasave të mëdha, që shumë shpejt u pranua dhe u afirmua nga publiku. Ishte vetëm 32 vjeç në vitin 1972 kur interpretoi rolin e Kapedanit Sulo tek filmi “Kapedani”, që e vendosi në rreshtin e parë të artistëve të mëdhenj shqiptarë. Me rolet e tjerë si “Hiluku” tek Operacion Zjarri” 1973, “Soll Lili” tek “Agimet e stinës së madhe”, Kaporal Pelegrini tek “Në fillim të verës” -1975, Nuri Beu tek “Koncert në vitin 1936”-1978, Kopi tek filmi “Rrethimi i vogël” etj, janë të tjerë role, që e bëjnë të njohur në mbarë trevat shqipfolëse artistin e Popullit Albert Verria.
Numërohen mbi 20 filma ku ai luajti role, që sot mbahen mënd, qoftë dhe për një batutë të vetme, sepse Albert Vërria dinte t’i futej në lëkurë çdo roli për ta bërë madhështor dhe të paharrueshëm nga shikuesit. Për artistin e madh, Albert Verria pensioni nuk ishte asgjë, sepse moshën e kishte sfiduar me gjallërinë dhe pasionet, aq të shumta dhe jo vetëm për artin skenik. Gjithë filozofinë e jetës, fenomenet e saj, shfaqjet e sjelljeve, prej të cilave gjenden burimet e të mirës dhe të keqes, Albert Vërria ju dha jetë në disa libra filozofikë dhe gati mitikë. Në vitet e fundit ia doli të botojë dhe promovojë disa libra si “Rrëfim paradoksal”, “Deshifrimi”, “Misteri” dhe “Deri kur”, ndërsa i mbetën, për mungesë financimi, ende të pabotuar librat e tjerë si “Homosapiens dhe i padukshmi”, “Universi, koha, materia”, “Fundi i pashmangshëm”.
Para pak vitesh, hapi ekspozitën me 62 fotografi të roleve, personazhet e interpretuar prej këtij mjeshtri të madh të aktrimit. Të gjitha personazhet i mblodhi në një biografi artistike, fiksuar në celuloid si një rrugëtim fotofilm me rolet.
Në 62 fotografi me përmasa të mëdha kalojnë rolet e paharruar të “Xha Sulos” te filmi “Kapedani”, Soll Lili tek “Agimet e stinës së madhe”, Hiluku” tek “Operacioni zjarri”, etj, etj.
E hapi ekspozitën si një homazh artistëve të mëdhenj të skenës dhe artit shqiptar, që nuk jetojnë më, si Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, Pjetër Gjoka, Ndrek Luca, Naim Frashëri, Kujtim Spahivogli, Violeta Manushi, etj, me të cilët luajti në filma të ndryshëm.
Para pak muajsh Albert Verrisë i erdhi propozimi i fundit për të luajtur në një film ndërkombëtar me një rol në filmin “Contromano”, skenarist dhe regjisor Andamion Murataj, fitues i “Ariut të Argjendtë” për Skenarin më të Mirë me filmin “Falja e Gjakut”, me Gary Keith Griffin drejtor fotografie i nderuar me çmimet më të rëndësishme të kinemasë, deri fitues i çmimit Oscar 1992.
Personazhi që do të luante ishte një 80-vjeçar, një rol me shumë karakter, i vështirë dhe me domethënie të madhe, pasi filmi bazohet në temën e hapjes së dosjeve. Filmi fitues në Projektin “Memoria” mes 60 projekteve të propozuara, mbështetet nga “Pulia Film Comission” në Itali.
Por nuk mundi të realizonte rolin e tij të fundit, që e kishte shumë qejf për shkak të sëmundjes së rëndë, që e mbajti gjatë në spitalet e Tiranës.
Rolet e Albert Verrisë në Kinematografinë Shqiptare

Historiani dhe kameleonët (1988), Historiani
Trapi i Vjetër (2005), komedi
Misioni përtej detit – (1988)
Në emër të lirisë – (1987)
Rrethimi i vogël – (1986), shoku Kopi
Melodi e pandërprerë – (1985) bariu
Ditë të qytetit tim – (1982) (TV)
Agimet e stinës së madhe (1981), Soll Lili
Dëshmorët e monumenteve (1980), Tasi
Përtej mureve të gurta – (1979), babai i Asimes
Koncert në vitin 1936 – (1978), Nuri Beu
Nga mesi i errësirës – (1978) , Ibishi
I treti – (1978), Saliu
Thirrja – (1976), Lec Kabashi
Në fillim të verës – (1975) , Kaporal Pelegrini
Shtigje të luftës – (1974), Jani Ferra
Shpërthimi – (1974) xha Kasemi
Brazdat – (1973), babai Ademit
Operacioni zjarri – (1973), Hiluku
Kapedani – (1972), xha Sulo
Kur zbardhi një ditë – (1971), Bakalli
I teti në bronz – (1970), Alo
Përse bie kjo daulle – (1969), i dehuri

Valuta


Vlerat e këmbimit merren minute pas minute nga Yahoo Finance
Vlera:
Nga:
Në: