E Martë, 22 Gusht 2017

biblioteka-kombetareNga Evis Nasto

Kur ju ndodh të takoheni me dikënd pas shumë kohësh dhe në fytyrën e tij nuk vëreni asnjë gjurmë të viteve që kanë kaluar, nuk ngurroni t’ja evidentoni me kënaqësi. Por kur ndeshesh me shërbimin e një institucioni kulturor, i cili me kohën nuk ka ndryshuar në filozofinë e të funksionuarit, përshtypja nuk mund të shpërfaqet pa dozat e një zhgënjimi të madh. Këtë ndjesi përjeton sapo kalon pragun e Bibliotekës Kombëtare.


Porta e drurit e vjetëruar dhe parketi që hamendësoj, nga era e mykut që kundërmon, se mund të jetë shtruar rreth viteve ’80 të krijon idenë se je futur në sheshxhirimin e një prej skenave të filmave shqiptare të realizmit socialist pasi pak gjë ka ndryshuar vërtet që nga ajo kohë. Në krye të hyrjes tek recepsioni, qëndron një zonjë e cila të orjenton drejt rafteve me skedare që mbajnë së bashku letra të zverdhura me tituj librash të hershëm si dhe tituj bashkëkohore. Nje pasuri e vërtetë e gjitha e ngjeshur në një sirtar të vetëm të lidhur me një shufër hekuri të hollë. Njësoj si herën e pare që kam shkelur në këtë vend. Fletë-kërkesat kanë të njëjtin format, ndërkohë që duket qartë që është rinovuar ashensori ku depozitohen librat e kërkuar në fondin e biliotekës. Tashmë ai është bërë elektronik dhe jo si dikur me mekanizmin primitiv të tërheqjes me litar që të kujtonte ‘sistemin’ e kovave të pusit. Në fund të sallës janë vendosur 5 kompjutera, si rrjedhojë e projektit për konvertimin retrospektiv të skedarëve tradicionalë, ku presupozohet të kihet akses në bibliografinë elektronike për koleksionin e dixhitalizuar të fondeve të Bibliotekës Kombëtare, por duke qenë se listat nuk përditësohen në kohë reale me numrin e kopjeve të disponueshme, nuk janë të rralla rastet kur pritja për librin e dëshiruar të shkoj dëm. Pa llogaritur këtu që kohën e humbet edhe ajo kategori lexuesish që kërkon të ketë akses tek koleksionet e bibliotekës në sallat e leximit dhe që për fatin e tyre të keq duan të fotokopjojnë një pjesë të materialit. Edhe pse në ligjin për Bibliotekat në Republikën e Shqipërisë përcaktohet si detyrim ofrimi i shërbimit të fotokopjes bazuar dhe në udhëzimet e Ministrisë së Kulturës (neni 18/pika 6:bibliotekat u krijojnë kushte përdoruesve të fotokopjojnë materiale të bibliotekës, duke respektuar ligjin e të drejtës së autorit, si dhe rregulloren e bibliotekës) fotokopja përmbush vetëm formalisht rregullin, sepse nuk funksionon. Me një buzëqeshje stampë për çdo ditë që pyet zonjën e recepsionit teksa të informon se fotokopja ende nuk është rregulluar, merr edhe sugjerimin e saj për një rrugëzgjidhje të pamenduar: “nuk i filmon dot me celular…”. Po kaq modeste janë dhe kapacitetet e sallave të leximit të Bibliotekës të cilat asnjëherë nuk kënaqin kërkesat e të gjitha kategorive sociale të lexuesve, edhe pse kjo e fundit është sërish e sanksionuar në ligjin përkatës të Bibliotekave.
Sigurisht që zgjidhjet vetjake janë ato që na kanë karakterizuar në këto 25 vite tranzicion në pritje që dora e shtetit të ndihet në mirë-administrimin e pasurisë së përbashkët. Produkt i kësaj zgjedhje vetjake janë depozitat e ujit në taracat e pallateve, gjeneratorët për furnizimin me energji, shtrimi i trotuareve të rrënuar me pllaka majolike në hapsirën përpara lokaleve… shto edhe fotografimin me aparat celulari në tentativë për të zëvendësuar fotokopjen. Megjithatë pavarësisht mungesës së kushteve optimale për ekzistencën e një institucioni të rendësishem kulturor; strehë e librit dhe lexuesit, Biblioteka Kombëtare mbetet shumë e frekuentuar për disa arsye:
Së pari për shkak të fondit të pasuruar ndër vite me mbi 1 milionë tituj.
Së dyti për faktin se libri sot eshte shëndrruar në një mall të shtrenjtë luksi që nuk bën pjesë në shportën e atyre produkteve, të cilat, sipas të dhënave të publikuara nga kryeministri në konferencën e fundvitit me gazetaret, kanë pësuar renie të çmimit.
Dhe së treti sepse prej vitesh rrjeti i Bibliotekave ‘bijëza’ të krijuara dikur në Tiranë, të njohura si bibliotekat e lagjeve, së bashku me Bibliotekat Rajonale në qytete të tjera janë tretur. Shqipëria qëndron larg në këtë drejtim edhe nëse krahasohet me standartet e Kosovës në territorin e së cilës numërohen 8 Biblioteka Nderkomunale, tërësisht funksionale si dhe një bibliotekë e veçantë për të verbërit, si pjesë e detyrimit që institucioni ka për t’i krijuar akses ndaj librit çdo kategorie sociale.
Besnikëria e lexuesit që vijon të frekuentojë Bibliotekën Kombëtare, pavaresisht kushteve të sipërpërmendura, të ngjall nje ndjesi keqardhje për braktisjen në të cilën është lënë ky institucion. Gjatë këtyre dy dekadave, duket se autoritetet përgjegjëse janë kujdesur jo për ta rinovuar por për ta mbajtur të pandryshuar,si relikë të diktaturës. Pa menduar se më këtë harresë kanë dëshmuar nga ana tjetër së sistemi që varfëroi shpirtin e krijmtarisë nën thundrën e diktatit për gati 50 vite, të paktën tregonte më shumë kujdes për formën e ruajtjes të librit. Ca më keq kur edhe në të ashtuquajturat aksione kulturore të thella të ndërmarra gjatë një viti të cilat i përmendi edhe Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro në ditën e inaugurimit të mjediseve të reja të Ministrisë, duket se vëmendja nuk ka qenë tek Biblioteka por tek rivitalizimi i zonave të lëna të harresë. Duke nënkuptuar me këtë të fundit veçanërisht mbrojtjen e monumenteve të trashëgimisë kulturore, në funksion të të cilave në buxhetin e këtij viti, në zërin prej 1.4 milionë dollarësh të akorduar për Kulturën është parashikuar shtim i fondeve për Drejtoritë Rajonale përgjegjëse për mbrojtjen e tyre. Me gjithë respektin për rëndësinë që përfaqsojnë monumentet e trashëgimisë kulturës të rrënuara sërish për arsye të mungesës së kujdesit institucional dhe komunitar, pyetja që shtrohet natyrshëm është: Po për trashëgiminë shpitërore të lënë në harresë në skutat e Bibliotekës çfarë u bë në vitin që lamë pas dhe çfarë do të bëhet në vitin që sapo ka hyrë? Nëse ka një hierarki prioritetesh në reformat strukturore që flitet se po bëhet në kulturë, atëherë mbi cilat kritere reabilitimi i Bibliotekës Kombëtare dhe rijetëzimi i bibliotekave bijëza është renditur dukshem në fund të hierarkisë?
Duke mbetur brenda kontekstit të librit dhe insticioneve që e strehojnë atë, Edmund Wilson shkrimtar amerikan i mesit të viteve ’50 shkruan se ka gjithnjë një çast gjatë leximit në të cilen duhet të vendosësh të kthesh faqën tjetër apo të mbyllesh librin. Deri më tani lexuesit kanë kthyer faqen në pritje të ndryshimit që duket se po vonon, ndërsa muret që Biblioteka Kombëtare premton se po i rrëzon në sloganin e saj ftues, ngrihen e bëhen më të larta, duke thelluar hendekun me librin.

 

 

Valuta


Vlerat e këmbimit merren minute pas minute nga Yahoo Finance
Vlera:
Nga:
Në: